Qarku Tirane

Shtesa natyrore e popullsisë, norma më e lartë në Qarkun e Tiranës

Shtesa natyrore e popullsisë, norma më e lartë në Qarkun e Tiranës

Treguesit demografikë të popullsisë në vendin tonë, flasin për një rritje natyrore më shumë në Qarkun e Tiranës dhe më pak në atë të Gjirokastrës, Vlorës dhe Korçës. Të dhënat e Institutit të Statistikave konfirmojnë se në tremujorin e dytë të vitit 2017, shtesa natyrore e popullsisë për 12 qarqet e Shqipërisë, regjistron normën më të lartë në qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 936 numrin e vdekjeve. Me shtesë natyrore të lartë paraqitet qarku i Durrësit me 216 lindje më shumë se vdekje, pasuar nga qarku i Dibërs me 199 lindje më shumë se vdekje. Në tremujorin e dytë 2017, shtesa natyrore regjistron vlerë negative vetëm në tre qarqe (Gjirokastër, Vlorë dhe Korçë). Vlera më e ulët është regjistruar në qarkun e Gjirokastrës dhe Vlorës, ku numri i vdekjeve tejkalon me 110 numrin e lindjeve.

Lindjet

Numri i lindjeve për tremujorin e dytë 2017, është 6.234, duke shënuar një rënie me 15,4%, në krahasim me tremujorin e dytë 2016. Numri më i ulët i lindjeve regjistrohet në qarkun e Gjirokastrës, 83 lindje, me një rënie prej 36,6%, në krahasim me tremujorin e dytë 2016. Numri më i madh i lindjeve regjistrohet në qarkun e Tiranës me 2.013 lindje, të cilat shënojnë rënie me 8,8% në krahasim me tremujorin e dytë 2016. Të gjitha qarqet e vendit pësuan rënie të numrit të lindjeve në tremujorin e dytë 2017, krahasuar me tremujorin e dytë 2016. Rënien më të madhe të numrit të lindjeve gjatë kësaj periudhe e paraqet qarku i Gjirokastrës me 36,6% dhe qarku i Vlorës me 30,3%.

 

Vdekjet

Numri i vdekjeve për tremujorin e dytë 2017 rezulton 4.671, duke shënuar një rënie prej 7,4%, krahasuar me tremujorin e dytë 2016. Numri më i madh i vdekjeve regjistrohet në qarkun e Tiranës, me 1.077 vdekje, me një rënie prej 8,7%, në krahasim me tremujorin e dytë 2016. Numri i vdekjeve është ulur pothuajse në çdo qark gjatë kësaj periudhe, në krahasim me tremujorin e dytë 2016. Përjashtim bën qarku i Fierit ku numri i vdekjeve është rritur me 3,8 %, në krahasim me tremujorin e dytë 2016. Rënia më e madhe është regjistruar në qarkun e Lezhës me 25,5%. Në tremujorin e dytë 2017, gjithashtu, me rënie më të madhe se 10,0 % të numrit të vdekjeve, paraqitet qarku i Dibrës me 13,2% dhe qarku i Shkodrës me 12,8%, krahasuar me tremujorin e dytë 2016.

 

http://www.instat.gov.al/media/2977/treguesit_demografik__t2-2017.pdf

Image: