Qarku Tirane

Vizito Tiranën / Një fundjavë për mbi Petrelë

Published at : 19/05/2018 - 12:46

Përgjatë rrugës nacionale Tiranë-Elbasan, në një largësi prej 12 kilometrash në juglindje, shtrihet Petrela, një nga zonat më të bukura të Shqipërisë, emërtimi i së cilës rrjedh nga fjala “shkëmb”.

Rruga për atje rrjedh qetë e ëmbël, lundron përgjatë oazës të gjelbër, luginës së ngushtë, nëpër të cilën nanurit lot i kthjellët lumi i Erzenit. Petrela ka qenë dhe mbetet një degëzim i lashtë i rrugës “Egnatia” që lidh qytetin e Tiranës me Elbasanin, fragmente të kalldrëmit të së cilës ruhen vende-vende edhe sot e kësaj dite.

Petrela përmendet për mikroklimën e pasur, për pamje të bukura panoramike në terren kodrinor-malor dhe burime të pasura natyrore.

Relievi i saj ka disa njësi fiziko-gjeografike mjaft të spikatura. Përmenden Kreshta e Farkës 6 km e gjatë me lartësi nga 222 metra deri në 445 metra mbi nivelin e detit, që është e mbuluar me pyje shkurresh, ku Mersina me Trumzën përbëjnë një pasuri të rrallë.

Në Tiranën e sotme është kthyer në modë blerja e një shtëpie karakteristike në këtë fshat, çka ka bërë që edhe vlera e tokës të jetë shumë më e lartë se më parë. Mjaft qytetarë të kryeqytetit kanë vite që janë zhvendosur dhe jetojnë në Petrelën e mrekullueshme. Një fundjavë në Petrelë E shtuna dhe e diela janë ditët kur Petrela pret e përcjell shumë vizitorë.

Kryeqytetasit e zgjedhin si një vend ku ‘arratisen’ me dëshirë të madhe drejt një vendi ndryshe i cili u falë qetësi. Brenda një territori të vogël, ka mundësi përzgjedhjeje; turizëm kulturor, kulinari, gjelbërim dhe turizëm agrar. Që të gjitha shkrihen mes tyre, duke mbetur ndër trevat më të vizituara në periferi të Tiranës. Kalaja e Petrelës ngrihet mbi një kodër shkëmbore sipër fshatit me të njëjtin emër, ka trajtë trekëndore me dy kulla vrojtuese.

Ndërtimi i parë i saj i përket periudhës së antikitetit, ndërsa forma e sotme daton në shekullin e XV. Nëse kthehemi pas në kohë do shikojmë që Kalaja e Petrelës bënte pjesë në sistemin sinjalizues dhe mbrojtës të kalasë së Krujës. Kjo kala ishte nën komandën e motrës së Skënderbeut, Mamica Kastriotit. Në ambientet e kalasë ka shërbim restoranti. Prej andej përpara shfaqet një pamje mjaft e bukur drejt luginës së Erzenit, kodrave me ullinj dhe maleve përreth.

Por nuk është vetëm bukuria natyrore ajo që tërheq vizitorë të shumtë nga vendi dhe bota, historia është një tjetër pikë e fortë e saj. Ata që dëgjojnë historinë e kalasë mbeten të mahnitur dhe nxitojnë të klikojnë në internet për të gjetur më shumë të dhëna duke dashur të ndërtojnë një tablo më të qartë të asaj që shohin gërshetuar me të shkuarën.

Mjedisi Ajo që e bën fshatin Petrelë më tërheqës është gjelbërimi. Fati i madh i kalasë është se ndodhet në një terren tejet piktoresk, e poshtë saj shtrihet gjelbërimi i natyrës.

Një peizazh i tillë dhe një rrugë e ndërtuar vitet e fundit ka bërë që numri i vizitorëve të rritet çdo ditë e më shumë në Petrelë. Mungesa e betonizimit masiv dhe shtimi i pemëve e bëjnë kalanë mesjetare si një mushkëri për kryeqytetin e mbipopulluar.

Çfarë të vizitoni në Petrelë: Kalaja e Petrelës, Tyrbja e Nuses, Vendbanimi antik i Përsqopit, Lapidari i Petrelës, etj.