Qarku Tirane

Trafikimi i qenieve njerëzore, mblidhet Komiteti Rajonal në Qarkun e Tiranës

Published at : 29/03/2019 - 19:29

Prefekti i Tiranës Znj. Suzana Jahollari në praninë e Zëvendëskryetares së Këshillit të Qarkut Tiranë zj. Bora Panajoti në bazë të urdhrit Nr. 6 të vitit 2017 të Kryeministrit Edi Rama për “Për krijimin e Komitetit Rajonal të luftës kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore” zhvilloi sot mbledhjen e radhës me të gjithë aktorët që janë të përfshirë në urdhër.

Qëllimi i kësaj mbledhjeje ishte përcaktimi i rregullave dhe i detyrave të hollësishme të organizimit, funksionimit dhe marrëdhënieve të Komitetit me institucionet shtetërore dhe jo shtetërore përgjegjëse për parandalimin dhe luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

Të pranishëm në tryezë ishin përfaqësues të njësive administrative të Qarkut, përfaqësues të ministrive, Zyrës së Punës, Shërbimit Social, Policisë vendore dhe përfaqësues të disa institucioneve të tjera qendrore dhe vendore.

Në mbledhje u ngritën disa problematika dhe u vendos për marrjen e masave për zgjidhjen e tyre, siç ishte vonesat e pagesës për viktimat e trafikimit dhe ngritja e zyrave ligjore dhe asistencë ligjore për të gjithë rastet e viktimave të trafikimit.

Komiteti vendosi objektivat për tre muajt në vijim dhe mori angazhimin në zgjidhjen e problematikave të dala këto kohë, duke rritur dhe bashkëpunimin mes institucioneve përgjegjëse.