Qarku Tirane

Tërmeti në Tiranë, institucionet në gatishmëri për të rikuperuar dëmet

Published at : 22/09/2019 - 12:50

Kryeministri Edi Rama, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe kryetari i Qarkut, Aldrin Dalipi ishin dje në Njësinë Administrative Nr 7 në Tiranë ku vizituam disa nga familjet më të dëmtuara nga lëkundjet sizmike që fatkeqësisht prekën vendin.

Drejtuesit më të lartë të shtetit ishin për t’i qetësuar nga paniku dhe për t’iu ardhur në ndihmë të gjithë banorëve të njësisë dhe së dyti për t’i garantuar plotësisht për rimëkëmbjen e çdo banese të prekur nga tërmeti. Kryeministri foli personalisht me banorët dhe për t’i bindur se strukturat e ngritura me këtë rast janë të gatshme të mirëpresin me kushtet optimale çdo qytetar të prekur nga pasojat e tërmetit.

Ju nuk mund të rrini këtu. Bashkë me familjet shkoni tek konvaleshenca dhe bëni një pushim të detyruar. Pjesa lart, mesa pashë, është goxha e dëmtuar dhe është problem për ju këtu dhe komshiun përballë. Kështu që vlerësoje këtë dhe të marrim masa që të shkoni atje. Atje i keni të gjitha në dispozicion, shërbimin,” – u shpreh Kryeministri, i cili mori premtimin se për një periudhë të përkohshme, deri në riparimin e dëmeve, do të strehohen në shtëpinë e pushimit të ofruar nga Ministria e Brendshme në Durrës.

Ministrja Gjonaj tha se “e njoh fare mirë sakrificën e tyre për të pasur një banesë, ndaj jemi të angazhuar maksimalisht për t’i ardhur në ndihmë çdo qytetari që ka nevojë si për ndërhyrjen institucionale, ashtu edhe për ndihmën tonë të drejtpërdrejtë. Bashkë do të mund ta kapërcejmë këtë situatë për të vijuar më tej me projektet që ju kemi premtuar dhe po i realizojmë”.

Kryetari i Qarkut Tiranë, Aldrin Dalipi u shpreh se të gjithë strukturat janë në gatishmëri të plotë dhe është me tepër rendësi t'i gjendemi pranë çdo familjeje që i është dëmtuar banesa nga tërmeti. Ai theksoi se nuk ka vend për panik, por të jemi të gjithë solidarë me njëri-tjetrin.