Qarku Tirane

Shoqata e Këshillave të Qarqeve të Shqipërisë merr mbështetje për forcimin e rolit në të ardhmen

Published at : 25/09/2019 - 17:18

Zhvillohet mbledhja e tretë e grupit tematik të decentralizmit (GTD) pranë Ministrisë së Brendshme në bashkëpunim me departamentin e zhvillimit dhe mirëqeverisjes në Kryeministri për vitin 2019.

Qëllimi i mbledhjes ishte që në kuadër të funksionimit, zbatimit dhe monitorimit të politikave për mirëqeverisjen të administrimit publik sidomos lidhur me strategjinë kombëtare ndërsektoriale për decentralizimin në qeverisjen vendore, të diskutohej lidhur me prioritetet strategjike dhe planin e veprimit, nevoja e bashkëpunimit dhe koordinimit me mbështetjen e donatorëve në procesin e decentralizimit. Tryeza e rrumbullakët u drejtua nga znj. Romina Kuko përgjegjëse për procesin e decentralizimit në Ministrinë e Brendshme në cilësinë e Zëvendësministres.

Të pranishëm gjithashtu në takim ishin: z.Bekim Murati Drejtor i përgjithshëm i AMVV, znj. Evis Gjaja Drejtoreshe e departamentit të zhvillimit dhe mirëqeverisjes në Kryeministri si dhe donatorët nga Bashkimi Europian, ambasada zvicerane, USAID, PNUD, Agjencia Suedeze për zhvillimin SIDA, Agjencia italiane për bashkëpunim dhe zhvillim AICS dhe projekti STAR 2, të gjithë mbështetës të procesit të decentralizimit në vendin tonë.

Shoqata e Këshillave të Qarqeve të Shqipërisë u përfaqësua në takim nga znj. Elidiana Canaj Drejtoreshe Ekzekutive e cila gjatë diskutimit u shpreh se: “Jemi të gatshëm dhe mirëpresim nga donatorët të mbështesin forcimin e rolit të këshillave të qarqeve. Duke qenë kështu, këshillat e qarqeve dhe shoqata janë të interesuar për fuqizimin e rolit të bashkive dhe ne e kemi mbështetur dhe mirëpritur përqendrimin e vëmendjes tek rritja e rolit të bashkive edhe pas reformës administrative të 2015.

Por gjykojmë se ka ardhur koha të fokusohemi tek rritja e rolit të këshillave të qarqeve sepse këshilli i qarkut ngritur si një organ kushtetues, bazuar në një ligj organik dhe si strukture politikë vendimmarrëse ka dhe duhet të ketë rol të mirëpërcaktuar si institucion vendor i nivelit të dytë. Këshilli i qarkut nuk i pengon funksionet e bashkive, nuk i dublon, përkundrazi lehtëson funksionimin e tyre edhe nëpërmjet bashkëpunimit.”

Qëndrimi i shoqatës së qarqeve është mirëpritur nga donatorët të cilët janë shprehur pro mbështetjes për forcimin e rolit të institucioneve tona.