Qarku Tirane

Mblidhet Këshilli Konsultativ, Dalipi: Konsultimi mes niveleve të qeverisjes, nevojë për kordinim dhe dialog

Published at : 03/04/2019 - 09:37

Ditën e hënë, datë 1 prill 2019, nën drejtimin e kryetarit të Shoqatës së Qarqeve të Shqipërisë, zotit Aldrin Dalipi dhe zëvëndësministres së Brendshme, zonjës Romina Kuko u zhvillua mbledhja e Këshilli Konsultativ mes Qeverisjes Qëndrore dhe Qeverisjes Vendore.

Prezantimi i disa projektligjeve si ai për asistencën sociale, për përcaktimin e autoriteteve kompetente dhe procedurës që do të ndiqet për përmbushjen e detyrimeve të caktuara nga gjykata për të miturin në konflikt me ligjin si dhe projektvendimi për miratimin e rregullave për shpalljen e zonave të veçanta të ruajtjes, ishin pjesë e diskutimit në mbledhjen e Këshillit.

Në takim ishte i pranishëm Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, z. Luigi Soreca, cili u shpreh se “decentralizimi ka nevojë për më shumë punë për përmirësimin e legjislacionit dhe financave. Qëndrimi konstruktiv nga të gjitha palët e interesuara është vendimtar dhe ka një ndikim real dhe të drejtpërdrejtë në jetët e të gjithë shqiptarëve.”

I pranishëm në prezantimin e studimit “Matrica e kompetencave”, z. Soreca tha se “BE-ja e sheh këtë mekanizëm institucional për konsultim mes niveleve të qeverisjes si një mundësi unike dhe të frytshme për dialog. Ne jemi gjithnjë e më të vëmendshëm ndaj qeverisjes vendore dhe në veçanti ndaj rolit që qeveritë vendore luajnë në procesin e integrimit të vendit në BE”.

Ndërsa theksoi se, Qeveria kohët e fundit ka ndërmarrë një rishikim afatmesëm të strategjisë së decentralizimit dhe aktualisht është duke rishikuar planin përkatës të veprimit.

Kreu i Qarkut Tiranë, njëherazi dhe bashkëkryetar i Këshillit Konsultativ z. Aldrin Dalipi duke folur për mediat komentoi mbledhjen si një mundësi shumë e mirë që qeverisja qendrore dhe ajo vendore të konsultohen përpara se të vendoset për miratimin e ligjeve. Ai tha se janë disa komponentë të rëndësishëm të aspektit social, turizmit, mbrojta e tokës etj., që janë të lidhura ngushtë me qeverisjen vendore, por që duhet të ketë një rakordim të mirë më qeverinë qendrore.

I pranishëm gjithashtu në mbledhjen e Këshillit ishte dhe ministri i Turizmit z. Blendi Klosi i cili në fjalën e tij ndër të tjera u shpreh se “filozofia jonë për turizëm të qëndrueshëm do të ngrihet mbi 4 qëllime kryesore: Përmirësimi i infrastrukturës në destinacionet turistike; Certifikimi i strukturave akomoduese dhe i shërbimeve brenda tyre; Promovimi i produktit turistik përtej kufijve dhe ngritja e sistemit për formimin profesional të personave që shërbejnë në këtë sektor. Me krijimin e 6 poleve me potencial turistik në të gjithë vendin, zgjasim kohë qëndrimin, jo vetëm gjatë sezonit veror, por gjatë gjithë vitit, rrisim cilësinë në strukturat akomoduese, nxisim investimet e reja, hotelet me 4 dhe 5 yje, për një ofertë turistike të konsoliduar!”