Qarku Tirane

Bruksel / Kryetari i Këshillit të Qarkut Tiranë në takimin “Miqtë e EUSAIR” në PE: Më shumë projekte që mbështesin të rinjtë, Tirana shembull!

Published at : 22/05/2018 - 17:52

Kryetari i Këshillit të Qarkut Tiranë z.Aldrin Dalipi mori pjesë në takimin e Miqve të Eusair në Parlamentin Europian, takim i organizuar nga Eurodeputeti Ivan Jakovcic dhe Konferenca e Rajoneve Periferike dhe Detare të Europës (CPMR).

Dalipi gjatë fjalës së tij në këtë takim të rëndësishëm, edhe në cilësinë e Zëvendës Presidentit të Eurorajonit Adriatiko-Jonian, tha se Tirana është një nyjë e rëndësishme e kësaj zone dhe model i ndryshimit të jashtëzakonshëm ndërsa bëri thirrje që shumë projekte europiane duhet të kenë në fokus të rinjtë si një energji e fortë për ndryshim dhe progres.

Duke cekur një çështje tjetër të rëndësishme, ai theksoi se zona e Adriatikut dhe Jonit duhet të fokusohen shumë në hapa konkretë të mbrojtjes së detit nga ndotja si pasuri e përbashkët me vlerë të paçmuar.

Z. Dalipi gjithashtu theksoi rëndësinë e ndërlidhjes mes rajoneve dhe qyteteve me autostradën blu si dhe nëpërmjet detit dhe ajrit duke zhvilluar potencialin turistik të kësaj zone.

Eurodeputeti Jakovcic mbështeti fokusimin te çështjet që kanë të bëjnë me angazhimin e të rinjve dhe inkurajoi decentralizimin në zonën Adriatiko-Joniane për t’i dhënë më shumë kompetenca qeverisjes vendore dhe duke përfituar kështu më shumë fonde nga BE.

Gjatë qëndrimit në Bruksel Kryetari i Këshillit të Qarkut Tiranë zhvilloi një takim të veçantë në selinë e CPMR me Sekretaren e Përgjithshme znj. Eleni Marianou ku u fol për rolin e Tiranës dhe bashkëpunimin konkret në projektet europiane.