Qarku Tirane

Pjesëmarrja në projekte sipas konceptit evropian të rajoneve, modele suksesi dhe vizione të reja bashkëpunimi për qarqet në Shqipëri

Published at : 08/11/2016 - 15:27

Rëndësia dhe roli që duhet të marrë qeverisja vendore në një kontekst krejt të ri menaxherial kërkon dhe eksperiencën dhe trajnimin e duhur të stafeve.

Për t’i shërbyer këtij qëllimi ditën e premte 4 tetor 2016, Shoqata e Këshillave të Qarqeve të Shqipërisë në Bashkëpunim me USAID organizuan në Elbasan fazën e dytë të trajnimit me temë “Pjesëmarrja në projekte sipas konceptit Europian të Rajoneve - Shkrimi i projekt propozimit’.

Trajnimi mblodhi në tryezë kryetarët e qarqeve, nënkryetarë dhe stafet e tyre të angazhuara në zbatimin e projekteve të zhvillimit si dhe bashkëpunëtorë të tjerë. Rritja e kapaciteteve të stafeve të Këshillave të Qarqeve për të arritur në prezantimin e projekteve sa më dinjitoze në partneritetet rajonale Evropiane do e bënte punën më të lehtë dhe bashkëpunimin më konkret.

Një vlerë e shtuar e kësaj faze trajnimi ishte edhe kontributi i USAID në njohjen e thelluar të lidershipit dhe stafeve të Këshillave të Qarqeve me ligjin e ri të Vetëqeverisjes Vendore, që i lejon atyre vendimmarrje të drejta në përputhje me politikat specifike në nivel qarku.

Kreu i Shoqatës së Këshillave të Qarqeve, zoti Aldrin Dalipi theksoi rëndësinë e vijueshmërisë së këtyre sesioneve për rritjen e kapaciteteve si dhe inkurajoi bashkëpunimin mes Këshilllave të Qarqeve dhe bashkive në përbërje të tyre.

Duke rikujtuar lidhjen e pashmangshme të Këshillave të Qarqeve që burojnë nga Këshillat Bashkiake, Dalipi përcolli mesazhin e të qenurit “partnerë jo konkurrente”, duke ndarë me të pranishmit shembullin e shkëlqyer të bashkëpunimit me Bashkinë Tiranë në projekte inovative në dobi të komunitetit që duhet të shërbejnë si modele për t’u replikuar edhe në raportet bashki/qark në të gjithë vendin.

Pjesë e kësaj tryeze ishte dhe kryetari i Këshillit të Agrobiznesit, zoti Agim Rrapaj i cili solli shembullin e ngritjes së tregut të gjësë së gjallë në Laknas Tiranë si një bashkëpunim mes tre bashkive Tiranë, Kamzë dhe Vorë, pjesë e Qarkut të Tiranës.

Ai theksoi rëndësinë e Këshillit të Qarkut Tiranë me një rol koordinator dhe eficent në ngritjen e këtij tregu të modernizuar bashkëkohor me kushte optimale matrikulimi, regjistrimi dhe inspektimi veterinar si i vetmi në Shqipëri. Ky projekt është një shembull i mirë i punës dhe përkushtimit për tregtimin Agro-Blektoral të kontrolluar dhe që duhet të ndiqet edhe nga Qarqe të tjera të Shqipërisë.