Qarku Tirane

Këshilli i Qarkut Tiranë sjell modelin europian të Tregut Blegtoral në Laknas

Published at : 02/11/2016 - 16:51

Është organizuar sot pranë Tregut të Ri Blegtoral në Laknas, aktiviteti me temë: “Për një organizim bashkëkohor të prodhimit në fermat blegtorale, të përpunimit dhe shitjes së produkteve blegtorale të freskëta dhe organike, si dhe konsolidimin e tregjeve të shitjes së kafshëve të gjalla në Shqipëri".

Në zbatim të vendimit të Këshillit të Qarkut Tiranë dhe të Memorandumit të Mirëkuptimit midis Bashkisë së Tiranës, Kamzës dhe Vorës, si dhe Qarkut të Tiranës, u realizua ky projekt pilot prej Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Shoqata e Këshillit të Qarqeve, me mbështetje të Bankës Credins, si dhe asistencën e dhënë prej Projektit PAZA për blegtorinë.

Për herë të parë do të aplikohen procedurat veterinare, duke organizuar mbarëvajtjen e prodhimit të fermës blegtoriale, me produkte të freskëta, organike në përputhje me standardet më të larta europiane.

Kryetari i Qarkut të Tiranës dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës, Z. Aldrin Dalipi tha se: “nisur prej një situate problematike, ku siguria ushqimore mbetet një prej problemeve kryesore, i cili ndikon direkt në cilësinë e jetesës, ku informaliteti dhe kontrabanda mbysin tregun tonë, mendoj se ky është një model shumë i mirë, për t’u ndjekur”.

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Z. Edmond Panariti deklaroi se: “Prodhim, grumbullim, përpunim dhe treg i konsumatorit, janë elementë pa të cilët prodhimi blegtoral do të ishte kaotik, do të ishte preh e spekulantëve dhe për më tepër, ajo që është më e rëndësishme do të kërcënonte në mënyrë të vazhdueshme sigurinë e konsumatorit, pasi do të ikte dhe jashtë sistemit të monitorimit të mbikëqyrjes veterinare dhe të pranisë së mbetjeve”.

Ministri Panariti theksoi se, ky do të jetë modeli që shumë shpejt do të ndiqet dhe nga të gjitha bashkitë për të demostruar se si do të ecet përpara.

Kreu i KASH, z. Agim Rapaj vlerësoi se ky treg garanton një transparencë në marrëdhëniet blerës- shitës duke: “iu siguruar fermerëve blegtorë dhe grumbulluesve një treg ku të shesin produktet e tyre me çmimin e vendosur nga rregullat e tregut, e jo nga sekseri. Kufizimin veprimtarisë së shitjes së kafshëve të pa matrikulluara apo të siguruara përmes kontrabandës me vendet kufitare e më gjerë. Propagandimi i një modeli efiçent dhe bashkëkohor investimi me cikël të mbyllur nga fusha, në tavolina. Garantimi i zbatimit të sistemit ruda me investime eficente të kryera nga sektori privat për prodhimin e mishit të freskët, por edhe ato të sektorit publik për matrikullimin dhe gjurmueshmërinë në sektorin e blegtorisë."