Qarku Tirane

E ardhmja e Europës - Mblidhet Byroja Politike e Konferencës së Rajoneve Periferike Detare (CPMR)

Published at : 19/03/2018 - 15:48

Mbledhja e Byrosë Politike të CPMR e organizuar nga Rajoni Perëndimor i Greqisë, u zhvillua me datë 8 Mars, në qytetin e Patras.

Tryeza pati në qendër të saj diskutime mbi të ardhmen e Europës, Buxhetin e BE, Politikat e Kohezionit, transportin dhe migrimin.

Të pranishme në këtë mbledhje ishin znj. Bora Panajoti, zv/kryetare e Këshillit të Qarkut Tiranë dhe znj. Blerina Guga, drejtore e Shoqatës së Këshillave të Qarqeve të Shqipërisë.

Konferenca e Rajoneve Periferike Detare (CPMR) mbështeti mesazhin gjithëpërfshirës të raportit të Parlamentit Evropian mbi të ardhmen e buxhetit të BE-së, “Një BE ambicioze kërkon një buxhet ambicioz”.

Kjo është e vetmja mënyrë që BE të kapërcejë sfidat e reja si siguria dhe ndryshimet klimatike, duke siguruar gjithashtu që politikat tradicionale, siç janë politika e kohezionit dhe politika e përbashkët bujqësore (CAP), të vazhdojnë të adresojnë çështjet ekonomike, sociale, dhe territoriale. CPMR i bëri thirrje Komisionit Europian për të hartuar një buxhet i cili i jep rajoneve fleksibilitetin e nevojshëm për të përballuar pabarazitë rajonale, në përputhje me strategjitë e tyre të zhvillimit rajonal dhe vizionin politik të BE-së.

Presidenti i Rajoneve Periferike Detare, Z. Vasco Cordeiro, ne fjalën e tij theksoi domosdoshmërinë për një buxhet ambicioz të BE i cili të jetë i fokusuar në investime, për të siguruar që Politika e Kohezionit dhe Politika e Përbashkët Bujqësore (CAP) të mund të vazhdojnë të japin vlerën e shtuar evropiane, veçanërisht nëse synojmë të përmbushim objektivat e Traktatit të BE.

Sekretarja e Përgjithshme e CPMR, znj Eleni Marianou, theksoi se “Nëse BE me buxhetin pas 2020 dëshiron tu shërbejë qytetarët e saj, ajo duhet t'u japë rajoneve hapësirën që ata kanë nevojë për të trajtuar pabarazitë rajonale dhe për të nxitur rritjen. Programet e përbashkëta të menaxhimit, siç janë ato të Politikës së Kohezionit, duhet të jenë në qendër të reformave për një buxhet të ri evropian për vitin 2020 dhe më tej. "