Qarku Tirane

Violinisti Shkëlzen Doli koncert në Tiranë, nderohet nga Këshilli i Qarkut

Published at : 02/02/2019 - 19:43

Violinisti Shkëlzen Doli ka mbajtur përsëri një koncert në Tiranë, duke mbledhur në sheshin "Skënderbeu", qindra artdashës të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit.

Programi i koncertit ka filluar me interpretimin e pjesëve nga muzika shqiptare, ndërsa nuk kanë munguar edhe pjesë të zgjedhura nga muzika klasike botërore.

Pjesë e koncertit "Shkëlzen Doli – Albanian Soul" ishin edhe instrumentistë nga Filarmonia e Vjenës.

Violinisti shqiptar Shkëlzen Doli, anëtar i Filarmonisë së Vjenës, është ideatori dhe udhëheqës artistik i projektit “Shkëlzen Doli – Albanian Soul”, duke synuar që një eveniment të tillë artistik ta kthejë në një traditë të përvitshme në Tiranë, por dhe në qytete brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Përpara koncertit ai zhvilloi një takim me kryetarin e Qarkut dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi, i cili e vlerësoi violinistin me titullin Nderi i Qarkut Tiranë.