TIRANA REGION

Tirana nis revolucionin portokalli, futet sistemi i biçikletave pa stacion

Published at : 11/06/2018 - 11:14

Tirana bëhet qyteti i parë në Ballkan që sjell sistemin e biçikletave pa stacion “Smart Bike Share”, një mënyrë ekologjike dhe inovative për të lëvizur në qytet.

Çdo qytetar që do të lëvizë me biçikletë mund ta përdorë atë, pasi ka shkarkuar aplikacionin “Mobike” ne telefonin e tij duke e bërë atë pjesë të pandashme të lëvizjes nëpër Tiranë duke revolucionarizuar kulturën e të lëvizurit me biçikletë në qytet.

Në nisjen e pedalimit të 500 biçikletave të para në rrugët e kryeqytetit, ishte i pranishëm edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përfaqësues të Mobike dhe përfaqësues të Ambasadës italiane dhe asaj kineze në vendin tonë.

Biçikletat mobike ofrojnë një proces transparent pagese dhe mjaft të thjeshtë, duke i bërë të aksesueshme për gjithëkënd. Ndërkohë për studentët dhe për nxënësit, duke filluar nga muaji i ardhshëm do të ketë paketa të veçanta dhe pika të posaçme pranë shkollave apo zonave universitare.

Krahas ardhjes së 4 mijë biçikletave në Tiranë që pritet të transformojnë tërësisht edhe kulturën e transportit në kryeqytet, Bashkia e Tiranës po punon intensivisht edhe për ndërtimin e rrjetit minimal të biçikletave në kryeqytet, si një mënyrë për të garantuar jetën e të gjithë pedaluesve.

Për të përdorur biçikletat pa stacion duhet të shkarkoni aplikacionin “Mobike” në celularin tuaj.

Regjistrohuni me numrin tuaj të telefonit dhe zgjidhni në hartë biçikletën më të afërt. Më pas, me anë të telefonit, bëni skanimin e “barcode” të biçikletës dhe nga ky moment mund ta përdorni atë në qytetin e Tiranës.

Pasi përfundoni udhëtimin tuaj, mjafton ta mbyllni sërish atë me kyçin që ndodhet në rrotën e pasme dhe parkojeni në një vend të sigurt, që nuk pengon lëvizjen.