TIRANA REGION

Dita e Dëshmorëve përkujtohet me homazhe pranë memorialit “Nënë Shqipëri”

Published at : 06/05/2018 - 21:38

Për ata që kanë dhënë jetën për atdheun, jo vetëm një kurorë me lule, por mirënjohja e përjetshme nuk do të mjaftonte.

Ndaj me dorën në zemër, zyrtarë të lartë të vendit, veteranë dhe të afërm të Dëshmorëve të Atdheut bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule në Varrezat e Dëshmorëve, në nderim të 5 Majit, ditës që përkujton të rënët në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Nën tingujt e muzikës funebre, presidenti Ilir Meta, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, kryeministri Edi Rama, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi, prefektja e Qarkut të Tiranës, Suzana Jahollari bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri”, në nderim të kujtimit të dëshmorëve të rënë për lirinë e Atdheut.

Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Në nderim të kujtimit të të rënëve për lirinë e vendit çdo vit në Varrezat e Dëshmorëve kryhen homazhe nga krerët më të lartë të shtetit shqiptar.