TIRANA REGION

“Dajti n’Fest” për Ditën Ndërkombëtare të Maleve

Published at : 11/12/2017 - 10:31

Tashmë, edhe Tirana ka një pistë të vetën të hedhjes me parashutë në malin e Dajtit, nga ku mund të fluturojnë të gjithë parashutistët profesionistë apo edhe ata që kërkojnë të provojnë adrenalinën që të jep ky lloj sporti.

Në Ditën Ndërkombëtare të Maleve u organizua për dy ditë me radhë “Dajti n’Fest”, një organizim i kthyer në traditë për promovimin e turizmit dhe produkteve e zejeve të zonës, ku u përurua edhe pista e hedhjes me parashutë në malin e Dajtit.

Pjesë e aktiviteteve u bë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi, si dhe shumë qytetarë të Tiranës që kishin zgjedhur që ditën e diel ta kalonin në “Dajti n’Fest”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës falënderoi edhe sipërmarrësit privatë, të cilët kanë mbështetur nismat që sjellin zhvillim turistik dhe ekonomik për qytetin. Duke uruar festat, Veliaj theksoi se shumë shpejt Bashkia e Tiranës, për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve, por edhe zhvillimit ekonomik të zonave rurale, do të hapë tregun e gjelave të detit në Baldushk.

Nisma të tilla nxisin edhe më shumë zhvillimin e potencialit turistik, ndërsa theksoi se turizmi mbetet një prioritet për qeverinë.